GAP

Instituti për Studime të Avancuara GAP është një Think Tank i formuar në tetor të 2007 në Kosovë. Përgjatë këtyre viteve, GAP ka qenë direkt pjesëmarrës në dhjetëra grupe punuese qeveritare për hartim të politikave dhe një numër i madh i dokumenteve publike që tani ndodhen në zbatim njohin kontributin e GAP gjatë procesit të hartimit të tyre. GAP ka publikuar me dhjetëra analiza dhe raporte; GAP u ka dhënë hapësirë për punë një numri të madh të profesionistëve të fushave të ndryshme; publikimet e GAP janë ndër më të cituarat në mediat vendore dhe raporte të ndryshme ndërkombëtare; studiues të shumtë, të cilët merren me zhvillimet politike në Kosovë, kanë cituar publikimet e GAP në studimet e tyre.

Misioni

Instituti GAP synon që të mbushë hendekun në mes të qeverisjes dhe qytetarëve, në mes të problemeve dhe zgjidhjeve, me qëllim të avancimit të shoqërisë kosovare. Këtë e bëjmë duke avokuar për një qeverisje më të mirë, duke monitoruar punën e institucioneve publike, dhe duke rekomanduar zgjidhje konkrete mbi politikat publike. GAP adreson sfidat ekonomike, politike dhe sociale në vend duke mobilizuar profesionistë të fushave të ndryshme.

Rreth projektit:

“Letërnjoftimi i Komunave” është projekt i Institutit GAP në kuadër të programit për Qeverisje të Mirë. Që nga viti 2007, GAP ka monitoruar punën e komunave dhe përmes raporteve periodike ka kontribuar për një qeverisje më të mirë në nivel lokal. Po ashtu, GAP ka kontribuar në pasurimin e debateve për zgjedhjet lokale, duke identifikuar problemet në nivel lokal dhe duke i bërë ato pjesë të debateve konkrete elektorale. Letërnjoftimi i Komunave ka tri komponenta: Statistikat – përmes të cilave synojmë të pasurojmë të dhënat statistikore në nivel lokal dhe të ofrojmë mundësinë e krahasimit të komunave për indikatorë të ndryshëm; Premtimet - me anë të të cilave synojmë të mbajmë përgjegjës për premtimet e dhëna nga kryetarët e zgjedhur të komunave; dhe Raportet e Politikave – përmes të cilave raportojmë për qeverisjen në nivel lokal, duke rekomanduar edhe për hapa konkret që duhet ndërmarrë në drejtim të përmirësimit të qeverisjes.


Platforma online për projektin "Letërnjoftimi i Komunave" është realizuar me përkrahjen e National Endowment for Democracy (NED):

NED
Rr. Sejdi Kryeziu, Blloku 4, Kati II 10000 Prishtinë, Kosovë
+ 381 38 609 339